Një bredh rreth 75-vjeçar dhe 23 metra i lartë ka mbërritur në Manhatan, ku do të vendoset në sheshin e famshëm “Rockefeller Center” dhe do të bëhet pjesë e traditës së festimeve të Krishtlindjeve në Nju Jork.
Pema, e llojit bredh norvegjez, u transportua nga West Edmeston, në shtetin e Nju Jorkut, duke përshkuar rreth 320 kilometra. Ajo peshon afërsisht 11 tonë dhe ka një gjerësi prej 15 metrash.
Pas mbërritjes në Manhatan, bredhi u ngrit me vinç dhe u vendos pranë pistës së njohur të patinazhit në akull. Qindra qytetarë dhe turistë u mblodhën për të ndjekur momentin, që shënon nisjen e përgatitjeve festive në qytet.
Në ditët në vijim, punonjësit do ta zbukurojnë pemën me më shumë se 50 mijë drita LED shumëngjyrëshe, të shpërndara përgjatë rreth tetë kilometrave kabllo. Në majë do të vendoset edhe ylli tradicional “Swarovski”, me peshë rreth 408 kilogramë.
Ceremonia e ndezjes së dritave do të mbahet më 2 dhjetor dhe do të transmetohet në televizion. Bredhi do të qëndrojë në “Rockefeller Center” deri më 9 janar 2027, ku pritet të tërheqë mijëra vizitorë gjatë sezonit të festave.
Tradita e pemës së Krishtlindjeve në këtë shesh daton që prej vitit 1931, kur punonjësit që po ndërtonin kompleksin vendosën një bredh të vogël, të zbukuruar me kurora të punuara me dorë. Ceremonia e parë zyrtare e ndezjes së dritave u zhvillua dy vite më vonë, në vitin 1933.
Pas përfundimit të festimeve, pema nuk do të përfundojë në mbeturina. Ajo do të përpunohet në dru dhe do t’i dhurohet organizatës jofitimprurëse “Habitat for Humanity”, e cila do ta përdorë për ndërtimin e banesave për familjet në nevojë.
Kështu, bredhi i famshëm i Nju Jorkut do të lërë pas jo vetëm atmosferën festive, por edhe një kontribut konkret për njerëzit që kanë nevojë për strehim.

