Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar mundësinë e krijimit të një formacioni të ri politik nga studentët protestues, jashtë Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
I pyetur nëse Shqipëria mund të ndjekë një skenar të ngjashëm me atë të Serbisë, ku lëvizja studentore është shoqëruar me diskutime për një alternativë të re politike, Berisha e mohoi këtë paralele, duke theksuar se situata në dy vendet është e ndryshme.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një qytetareje për mundësinë e krijimit të një fronti apo partie të re nga studentët, ai tha se nuk është kundër krijimit të formacioneve të reja politike, pasi kjo e drejtë është pjesë e pluralizmit.
“Unë kurrë nuk mund të kem asnjë lloj qëndrimi negativ ndaj atyre që duan të krijojnë formacionin e tyre politik. Për mua, pluralizmi politik është shtyllë kryesore e demokracisë dhe cilido ka të drejtën e tij të veprojë sipas mendimit, dëshirës së tij”, deklaroi Berisha.
Megjithatë, ai tha se zhvillimet në Shqipëri nuk janë të krahasueshme me ato në Serbi. Sipas tij, atje lëvizja studentore u drejtua nga infrastruktura shtetërore universitare, me rektorin e Universitetit të Beogradit dhe dekanët në krye.
Berisha iu referua edhe kohëzgjatjes së protestave në Serbi, duke pretenduar se lëvizja u zhvillua për rreth dy vjet, në më shumë se 700 ditë. Një tjetër dallim, sipas tij, ishte struktura e opozitës serbe, e përbërë nga disa parti të vogla, të cilat, siç pretendoi ai, nuk arrinin së bashku më shumë se 7-8% të mbështetjes.
“Pra, nuk kishte në Serbi një parti opozitare siç është Partia Demokratike”, theksoi kreu i PD-së.
Në përfundim, Berisha u shpreh se studentët kanë të drejtë të ndërmarrin hapa politikë dhe të krijojnë një alternativë të re, por i këshilloi të mos bazohen, sipas tij, në një perceptim jorealist të zhvillimeve politike në Shqipëri.
Deklarata vjen në një kohë kur, gjatë protestave studentore, është diskutuar edhe mundësia e krijimit të një force të re politike, jashtë dy partive kryesore, PS-së dhe PD-së.