Në prag të festave të Nëntorit,muajit te Kombit, Gjimnazi “Asim Vokshi”, në qytetin e Bajram Currit, në zemër të Luginës së Valbonës, ka realizuar një video-kartolinë urimi kushtuar të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen.
Përballë madhështisë së Alpeve Shqiptare, të veshur me kostumet tradicionale të Tropojës, Malësisë së Gjakovës, grupi i valltarëve të gjimnazit sjell një atmosferë të veçantë festive, duke kërcyer nën ritmet e këngës së njohur popullore “Vallja e Rugovës”, interpretuar nga këngëtari tropojan Gëzim Nika.
Vargjet e saj të njohura, “Në Prishtinë e në Tiranë”, përcjellin një mesazh të fuqishëm bashkimi, vëllazërie dhe krenarie kombëtare. Ato simbolizojnë lidhjen e pandashme mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe shpirtin e një kombi që feston, këndon e vallëzon si një i vetëm.
Nga Tropoja e bukur, nga zemra e Alpeve Shqiptare, kjo kartolinë festive përcjell urimet më të përzemërta për të gjithë shqiptarët. Gëzuar Festat e Nëntorit.









Komente
Komento