Analizat e kryera në depozitën e ujit të kopshtit nr. 10 në Vlorë kanë zbuluar ndotje fekale, duke ngritur shqetësime për cilësinë e ujit të pijshëm në qytet. Situata vjen në një kohë kur në Spitalin Rajonal të Vlorës është raportuar shtim i numrit të pacientëve me simptoma diarreje, mes tyre edhe fëmijë.
Kontrollet e para laboratorike kishin evidentuar praninë e amoniakut dhe mungesën e klorit në ujë, ndërsa analizat e mëvonshme kanë zbuluar edhe ndotje fekale në depozitën e institucionit arsimor.
Pas konstatimeve, autoritetet shëndetësore kanë nisur monitorimin e rrjetit të ujësjellësit dhe po kryejnë analiza çdo dy orë, për të ndjekur gjendjen e ujit dhe për të identifikuar përmasat e problemit.
Ndërkohë, pavarësisht rasteve të raportuara në spital, deri tani nuk është konfirmuar nëse pacientët me simptoma diarreje janë helmuar si pasojë e konsumimit të ujit të ndotur. Lidhja mes rasteve shëndetësore dhe ndotjes së konstatuar mbetet ende për t’u verifikuar.

