Një godinë e vogël në zonën e Zvërnecit, pranë kanalit që lidh lagunën e Nartës me detin, është përfshirë nga flakët mesditën e sotme.
Godina përdorej për magazinimin e materialeve të peshkimit. Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet zjarrfikëse të Vlorës, të cilat ndërhynë për të vënë situatën nën kontroll.
Flakët rrezikuan të përhapeshin në pyllin me pisha pranë godinës, por ndërhyrja e zjarrfikësve shmangu përhapjen e zjarrit.
Paraprakisht dyshohet se shkak mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike. Nga ngjarja janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa po punohet për përcaktimin e plotë të rrethanave.