Një koment i Jonida Maliqit për Rozana Radin ka sjellë një reagim publik nga kjo e fundit, duke ndezur një debat mes dy këngëtareve.
E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, gjatë një loje ku panelistet duhej të përmendnin një artist që e konsideronin të mbivlerësuar, Jonida Maliqi zgjodhi emrin e Rozana Radit.
Maliqi sqaroi se e vlerëson Rozanën për talentin si artiste, poete dhe aktore, por jo për performancën e saj vokale.
“Vokalisht nuk e vlerësoj dhe mendoj që ka pasur mbivlerësim”, u shpreh këngëtarja.

Përgjigjja e Rozana Radit nuk vonoi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo iu kundërpërgjigj me ironi deklaratës së koleges së saj.
“Sikur një këngë e jotja të merrte aq klikime sa një video ku përmendem unë, do të ishte film! Suksese!”, shkroi Radi.
Reagimi ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve në rrjetet sociale, ku komentet për përplasjen mes dy artisteve kanë qenë të shumta.
Mbetet për t’u parë nëse Jonida Maliqi do t’i përgjigjet publikisht Rozana Radit apo shkëmbimi i deklaratave do të mbyllet me këtë reagim.

