E diel, 8 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
450 mijë euro drejt Gjermanisë, SPAK gjurmon paratë e AKSHI-t te vëllai i Vlora Hysenit
Lajme

450 mijë euro drejt Gjermanisë, SPAK gjurmon paratë e AKSHI-t te vëllai i Vlora Hysenit

Transferta e anuluar dhe dyshimet për korrupsion

Hetimet për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) po shtrihen përtej kufijve të Shqipërisë, ndërsa Prokuroria e Posaçme po verifikon edhe një pistë financiare që lidh biznesmenin Ergys Agasi me ish-drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni.

Në qendër të verifikimeve është një transfertë prej 450 mijë eurosh drejt një kompanie gjermane, e cila sipas dyshimeve të ngritura nga hetuesit lidhet me vëllain e Hysenit. Për këtë arsye, SPAK ka dërguar letërporosi në Kosovë dhe Gjermani, me qëllim sigurimin e të dhënave mbi marrëdhëniet financiare dhe personat e përfshirë.

Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimi, transferta është iniciuar nga shoqëria “Fortis Beton” sh.p.k., e cila rezulton e përfshirë në dosjen e AKSHI-t. Shuma prej 450 mijë eurosh kishte si destinacion kompaninë gjermane “Erd & Tiefbau Dingler GmbH”, me përshkrimin “pagesë për kontratë huaje”, sipas një kontrate të datës 26 shkurt 2024.

Megjithatë, pagesa është anuluar një ditë më vonë, më 27 shkurt 2024. Ky detaj nuk e ka mbyllur pistën financiare për hetuesit, të cilët po verifikojnë arsyet e kryerjes së transfertës, marrëdhëniet mes kompanive dhe përfituesit e mundshëm të shumës.

Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e prokurorëve është përfaqësimi i kompanisë gjermane nga Izet Dingler, i identifikuar në materialet e hetimit si vëllai i Vlora Hysenit.

Dëshmitë dhe dyshimet për përdorimin e fondeve të AKSHI-t

Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe Ardit Sota dhe Genci Shima, të cilët janë pyetur për marrëdhëniet e “Fortis Beton” me kompanitë gjermane dhe për transfertën e dyshimtë.

Sipas dëshmive të raportuara, të dy kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për punimet e pretenduara dhe se nuk i njohin përfaqësuesit e shoqërive gjermane.

Nga ana tjetër, SPAK ngre dyshime se Ergys Agasi mund të ketë përdorur fondet e përfituara nga prokurimet publike të AKSHI-t për të korruptuar ish-drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni.

Prokuroria vlerëson se anulimi i transfertës prej 450 mijë eurosh nuk përjashton mundësinë që përfitimi i parregullt të jetë premtuar apo pranuar në një formë tjetër, në këmbim të dhënies së informacioneve sekrete të institucionit ndaj Agasit.

Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë që marrëdhëniet mes kompanive dhe lëvizjet financiare të jenë përdorur për të fshehur origjinën dhe natyrën e paligjshme të përfitimeve të dyshuara nga korrupsioni dhe prokurimet publike.

Kështu, një transfertë e anuluar prej 450 mijë eurosh është kthyer në një prej pikave që SPAK po verifikon në përpjekje për të zbardhur të gjithë mekanizmin financiar të dyshuar në dosjen AKSHI, si dhe lidhjet e mundshme mes biznesmenëve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.