Të paktën 21 persona kanë humbur jetën pasi një varkë e vogël që transportonte emigrantë u mbyt në brigjet veriperëndimore të Senegalit. Sipas Ministrisë së Brendshme, vetëm një person është shpëtuar, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë 21 trupa nga deti, përcjell DW.
Autoritetet bëjnë të ditur se bilanci është paraprak dhe se operacionet e kërkimit vijojnë. Ngjarja ndodhi pranë Kébémerit, rreth 180 kilometra në veri të kryeqytetit Dakar.
Të shtunën, Ministria e Brendshme theksoi angazhimin e qeverisë për të luftuar rrjetet e trafikimit të emigrantëve, përmes forcimit të bashkëpunimit me vendet fqinje.
Një ditë më parë, autoritetet senegaleze njoftuan se kishin ndaluar 142 emigrantë që po udhëtonin me një tjetër varkë, me synimin për të arritur në territorin spanjoll. Në bord ndodheshin shtetas nga disa vende të Afrikës Perëndimore.
Ndërkohë, në Ishullin El Hierro, pjesë e Ishujve Kanarie, autoritetet kanë shpallur gjendjen e emergjencës pas rritjes së ndjeshme të mbërritjeve të emigrantëve me varka. Sipas drejtuesve vendorë, që nga fillimi i muajit në ishull kanë mbërritur më shumë se 3 300 persona me rreth 30 varka.
Kreu i këshillit të ishullit, Alpidio Armas, deklaroi për televizionin spanjoll se rritja e mbërritjeve ka krijuar shqetësim dhe se shpallja e emergjencës synon të mundësojë bashkëpunim me institucionet qendrore. Ai tha gjithashtu se kushtet në spitalin e ishullit janë bërë të papërshtatshme.
El Hierro ka rreth 11 400 banorë. Në vitin 2024, mbërritjet e emigrantëve në Ishujt Kanarie arritën një rekord prej 46 000 personash. Më pas, numri i tyre ra ndjeshëm, pas shtimit të kontrolleve dhe bashkëpunimit me vendet afrikane.