Aleanca ka kritikuar nivelin e lartë të varësisë së Kosovës nga importi, duke thënë se për çdo një euro mallra që vendi shet jashtë, blen 7.5 euro nga jashtë.
Në një postim, kjo parti ka theksuar se gjatë vitit 2025 Kosova ka importuar 6.1 miliardë euro më shumë sesa ka eksportuar, ndërsa fermerët dhe prodhuesit vendorë vazhdojnë të përballen me kosto të larta dhe, sipas saj, mbështetje të pamjaftueshme.
Aleanca ka kritikuar edhe qeverinë, duke pretenduar se ajo fokusohet në të hyrat e mbledhura nga qytetarët, por nuk ofron zgjidhje të mjaftueshme për vështirësitë me të cilat përballen prodhuesit vendorë.
“ Kosova nuk mund të zhvillohet duke blerë gjithçka nga të tjerët e duke e lënë prodhimin e vet pas dore”, thuhet në postim.
Më tej, Aleanca ka bërë të ditur se do të vazhdojë të angazhohet për politika që mbështesin prodhimin vendor.
Ndër masat e përmendura janë furnizimi me energji të prodhuar në vend, përdorimi i gazit amerikan, krijimi i kapaciteteve të reja prodhuese, heqja e tatimit në pronë për fermerët dhe lehtësimi i barrës së TVSH-së për bizneset e vogla.
“Paratë e qytetarëve duhet të kthehen në punë e mirëqenie për familjet tona”, thuhet, mes tjerash, në postimin e Aleancës.