240 kg kokainë dhe 14 milionë euro, çmontohet rrjeti shqiptar në Itali
Një rrjet i dyshuar kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë dhe i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge e pastrim parash, është goditur nga autoritetet italiane në një operacion të gjerë antimafia, të zhvilluar në bashkëpunim me SPAK-un.
Operacioni i koduar “Caveau 38” u drejtua nga Guardia di Finanza në Lecco, nën koordinimin e Drejtorisë së Antimafias në Milano. Në hetime morën pjesë edhe autoritetet shqiptare, ndërsa në fokus ishte një aktivitet i dyshuar kriminal që shtrihej në Shqipëri, Itali, Holandë dhe Gjermani.
Sipas dyshimeve të hetuesve, gjatë periudhës 2019–2022, grupi ka trafikuar rreth 240 kilogramë kokainë nga Shqipëria drejt Italisë. Paralelisht, fitimet nga aktiviteti i paligjshëm, që kapin vlerën e mbi 14 milionë eurove, dyshohet se janë mbledhur dhe transferuar drejt Shqipërisë.
Bilanci i deritanishëm i operacionit flet për 52 persona nën hetim dhe gjashtë arrestime në flagrancë. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar më shumë se 1.5 milionë euro para të gatshme, si dhe rreth 32 kilogramë lëndë narkotike, përfshirë kokainë, heroinë dhe kanabis.
Ari dhe pasuritë e paluajtshme, skema e dyshuar për pastrimin e parave
Një prej elementeve që kanë tërhequr vëmendjen e hetuesve është mënyra se si organizata dyshohet se tentonte të fshihte origjinën e parave të përfituara nga trafiku i drogës.
Sipas hetimeve, grupi kishte siguruar afro tetë kilogramë lingota ari përmes një kompanie të përpunimit të metaleve të çmuara, me seli në Milano dhe Alessandria. Blerja e arit dyshohet se ishte pjesë e mekanizmit për konvertimin dhe fshehjen e fitimeve kriminale.
Në skemë dyshohet se përfshihej edhe një kompani tjetër në zonën e Lecco-s, e cila përdorej për investime në pasuri të paluajtshme dhe shërbente si një lloj kasaforte financiare për aktivitetin e grupit.
Të dyja kompanitë janë vendosur nën sekuestro preventive. Për administrimin e tyre është caktuar një administrator gjyqësor, me qëllim ruajtjen e aktivitetit të ligjshëm gjatë procedurave.
Komunikime të enkriptuara dhe automjete me hapësira të fshehta
Për koordinimin e aktivitetit, anëtarët e dyshuar të organizatës përdornin aplikacione të enkriptuara, përmes të cilave shkëmbenin informacione për lëvizjen e drogës dhe transferimin e parave.
Transporti i lëndëve narkotike dhe i shumave të mëdha financiare kryhej me automjete dhe kamionë të përshtatur me hapësira të posaçme të fshehta, për të shmangur zbulimin gjatë kontrolleve.
Hetimi nisi pas verifikimeve të Guardia di Finanza-s lidhur me shitjen e drogës në hapësira publike në Cernusco Lombardone dhe Merate. Ndjekja e gjurmëve financiare dhe kontrollet e mëtejshme çuan më pas në zbulimin e një rrjeti me shtrirje ndërkombëtare.
Bashkëpunimi mes autoriteteve italiane dhe SPAK-ut në Tiranë ndihmoi në rindërtimin e lëvizjes së narkotikëve dhe të parave mes katër vendeve. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe mekanizmin financiar të organizatës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



