Policia ka zbardhur detaje të reja nga sherri i ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku një 34-vjeçar tentoi të largohej me vrap pas konfliktit. I riu është arrestuar, pasi dyshohet se gjatë përplasjes tentoi të përdorte një armë zjarri.
I arrestuari është Mario Meçanaj, 34 vjeç, banues në Vlorë, i cili mbrëmjen e 7 nëntorit, rreth orës 20:50, u përfshi në një konflikt për motive të dobëta me 41-vjeçarin E.H., banues në Tiranë.
Sherri ndodhi në vendin e quajtur “Rrapi”, në zonën e Ujit të Ftohtë, ku policia ndërhyri për të ndalur përplasjen. Siç u raportua edhe mbrëmjen e djeshme, një prej personave të përfshirë tentoi të largohej me vrap. Efektivët qëlluan edhe në ajër për ta ndaluar, por ai vazhdoi të largohej derisa u kap disa metra më tutje.
Sipas detajeve të bëra publike sot nga policia, Meçanaj dyshohet se gjatë konfliktit ka tentuar të përdorë një pistoletë, të cilën më pas e ka hedhur në rërë, në vendin ku u kap nga efektivët.
Arma e zjarrit u gjet dhe u sekuestrua, ndërsa gjatë kontrollit të makinës së 34-vjeçarit policia zbuloi edhe një përforcues metalik grushti.
34-vjeçari u arrestua në kuadër të operacionit “Yacht”, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Vlorës për hetime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë
Vlorë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Yacht”, parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale.
Arrestohet 34-vjeçari që tentoi të përdorte armë zjarri gjatë një konflikti.
Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë dhe një përforcues metalik grushti.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Yacht”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi M. M., 34 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë patrullimit në lagjen “Uji i Ftohtë”, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:50, në vendin e quajtur “Rrapi”, punonjësit e Policisë konstatuan një konflikt për motive të dobëta mes 34-vjeçarit dhe shtetasit E. H., 41 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë, duke parandaluar përshkallëzimin e situatës. Gjatë ndërhyrjes, 34-vjeçari tentoi të largohej me vrap, por u kap dhe u neutralizua nga punonjësit e Policisë.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, gjatë konfliktit, 34-vjeçari ka tentuar të përdorë një armë zjarri pistoletë, të cilën më pas e ka hedhur në rërë, në vendin ku u kap nga shërbimet e Policisë. Arma u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të automjetit të tij, u gjet një përforcues metalik grushti, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.









Komente
Komento