Zjarr në një godinë pranë Lagunës së Nartës, dyshohet shkëndija elektrike
Një godinë e vogël në zonën e Zvërnecit, pranë Lagunës së Nartës, është përfshirë nga flakët mesditën e kësaj të diele.
Zjarri ka rënë në ambientet e një godine që shërbente për magazinimin e materialeve të peshkimit, pranë pikës ku kanali i lagunës lidhet me detin.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse të Vlorës, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve. Zjarri rrezikonte të përhapej edhe në pyllin me pisha pranë godinës, por ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve bëri të mundur neutralizimin e situatës.
Nga ngjarja janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Sipas vlerësimeve paraprake, dyshohet se shkak për rënien e zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike, ndërsa vijojnë verifikimet për të përcaktuar rrethanat e plota.
/vizionplus.tv




