Një konflikt mes dy personave në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë ka përfunduar me arrestimin e një 34-vjeçari, i cili dyshohet se tentoi të përdorte armë zjarri ndaj një 41-vjeçari.
Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:50, në vendin e njohur si “Rrapi”, ku gjatë patrullimit, efektivët e Policisë konstatuan një përplasje për motive të dobëta mes Mario Meçanajt, banues në Vlorë, dhe një 41-vjeçari me inicialet E. H., nga Tirana.
Ndërhyrja e menjëhershme e uniformave blu bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të situatës. Në momentin që policia iu afrua, 34-vjeçari tentoi të largohej me vrap, por u kap dhe u neutralizua nga efektivët.
Nga hetimet paraprake dyshohet se gjatë konfliktit Meçanaj ka tentuar të përdorë një pistoletë, të cilën më pas e ka hedhur në rërë, në vendin ku u ndalua nga policia. Arma u gjet dhe u sekuestrua si provë materiale.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia zbuloi dhe sekuestroi edhe një përforcues metalik grushti.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Yacht”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për vijimin e hetimeve.
