Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Tale të Lezhës, ku një 70-vjeçar ka humbur jetën pasi është zënë poshtë nga një pjesë muri që dyshohet se u shemb aksidentalisht.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, shtetasi me iniciale P. Q., rreth 70 vjeç, ndodhej duke punuar në banesën e tij kur një pjesë e murit dyshohet se është shembur, duke e zënë poshtë.


Si pasojë e dëmtimeve të marra, i moshuari ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, i cili ka nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar shkaqet e plota që çuan në humbjen e jetës së 70-vjeçarit.

Njoftimi i Policisës

Në fshatin Tale, shtetasi P. Q., rreth 70 vjeç, dyshohet se aksidentalisht është zënë poshtë nga një pjesë muri në banesën e tij, që dyshohet se është shembur teksa ai po punonte. Si pasojë, 70-vjeçari ka humbur jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.