Premier League/ Liverpool rikthehet të buzëqeshë, mposht Crystal Palace në Londër Cisse dhe Pulisic realizojnë brenda gjashtë minutash, por skuadra e Milanit duhet të vuajë deri në fund për të siguruar tri pikët në Marassi.
Milani merr një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur 2-1 Genoan në Marassi dhe duke ruajtur pozitat në krye të renditjes së Serie A. Kuqezinjtë ndërtuan avantazhin e dy golave që në pjesën e parë, por fundi i takimit rezervoi emocione dhe tension deri në vërshëllimën e fundit.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, me vendasit që rrezikuan të kalonin në avantazh që në sekondat e para. Milani reagoi dhe në minutën e 13-të gjeti golin e parë. Pas një presingu të suksesshëm, Pulisic fitoi topin dhe nisi aksionin që përfundoi me Cisse, i cili me një goditje të saktë nga jashtë zonës mposhti portierin Bijlow.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, kuqezinjtë dyfishuan shifrat. Një gabim në prapavijën e Genoas u shfrytëzua nga Gonçalo Ramos, i cili shërbeu për Pulisic. Amerikani nuk gaboi nga afërsia, duke e çuar rezultatin në 2-0. Milani pati mundësi të tjera, ndërsa një gol i Osmajic për vendasit u anulua për pozicion jashtë loje.
Në pjesën e dytë, ndeshja u karakterizua nga tensioni dhe ndërprerjet. Një episod i diskutueshëm në minutën e 52-të, pas ndërhyrjes ndaj Rabiot, solli protesta të forta nga stoli i Milanit dhe përjashtimin e tre pjesëtarëve të stafit teknik. Ritmi më pas ra, ndërsa rastet për shënim ishin të pakta.
Kur dukej se gjithçka ishte vendosur, Genoa rihapi ndeshjen në minutën e 89-të. Ellertsson realizoi një gol spektakolar me një goditje nga distanca, duke ngushtuar diferencën në 2-1 dhe duke rikthyer emocionet në Marassi.
Vendasit tentuan të shfrytëzonin minutat e fundit për të gjetur barazimin, por Milani rezistoi dhe arriti të ruante avantazhin deri në fund. Me këtë sukses, kuqezinjtë shkojnë në kuotën e 24 pikëve dhe mbeten në krye të renditjes, ndërsa Genoa mbetet me 13 pikë dhe i jep fund serisë pozitive.
Top Channel