Presidenti izraelit, Isaac Herzog, i ka besuar zyrtarisht Gadi Eisenkotit mandatin për formimin e qeverisë së re, pasi ky i fundit siguroi mbështetjen e 67 deputetëve të Knessetit, kundrejt 46 që mbështetën kryeministrin aktual Benjamin Netanyahu.
Gjatë ceremonisë në rezidencën presidenciale në Jerusalem, Herzog vlerësoi se Eisenkot ka marrë mbështetjen e qartë të shumicës parlamentare, duke i kërkuar të ndërtojë një qeveri që përfaqëson të gjithë qytetarët izraelitë.
Pas marrjes së mandatit, lideri i partisë “Yashar” e cilësoi situatën e Izraelit si një moment vendimtar, mes luftërave të vazhdueshme, objektivave ushtarake të parealizuara dhe përkeqësimit të marrëdhënieve diplomatike. Ai paralajmëroi gjithashtu për krizën e besimit te institucionet dhe dobësimin e demokracisë izraelite, duke deklaruar se vendi ka nevojë për një qeveri të unitetit kombëtar për emergjencën. “Kjo do të kërkojë lëvizje politike kreative dhe të pazakonta”, u shpreh Eisenkot.
Në përpjekje për të siguruar një shumicë më të gjerë, ai ftoi edhe deputetët e kampit të Netanyahut, përfshirë përfaqësues të Likud dhe Sionizmit Fetar, që t'i bashkohen qeverisë së propozuar, nëse pranojnë katër parimet kryesore të programit të tij. Eisenkot theksoi se uniteti nuk duhet të jetë një slogan apo instrument për pazare politike, por një partneritet i vërtetë, duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit edhe me një Likud pa Netanyahun.
Megjithatë, rruga drejt koalicionit nuk pritet të jetë e lehtë. Eisenkot pranoi se ekzistojnë mosmarrëveshje edhe brenda opozitës, veçanërisht me Avigdor Libermanin, lidhur me përbërjen e qeverisë së ardhshme. Ai paralajmëroi se kushdo që do të pengojë krijimin e saj për interesa personale do të mbajë përgjegjësi politike dhe historike, ndërsa nënvizoi se kompromisi mes partive është i domosdoshëm për të nxjerrë Izraelin nga kriza.
© SYRI.net