Hoeness ngre alarmin për Musialën: Vuan nga një sëmundje që nuk kurohet lehtë, nuk e dimë...

Hoeness ngre alarmin për Musialën: Vuan nga një sëmundje që nuk kurohet lehtë, nuk e dimë...

17:36, 08/11/2026

Situata shëndetësore e Jamal Musialës vazhdon të jetë një shqetësim i madh për Bayern Munich. Këtë herë ka qenë Uli Hoeness, presidenti i nderit të klubit bavarez, ai që ka folur për gjendjen e futbollistit gjerman, duke pranuar se ekziston pasiguri për rikthimin e tij në nivelin e mëparshëm.

Në një intervistë për emisionin “Sonntags-Stammtisch” të televizionit BR, Hoeness nuk e fshehu shqetësimin për të ardhmen e talentit të Bayern.

“Jemi përballë një dileme me të. Ai vuan nga një sëmundje që nuk është e lehtë për t'u kuruar”, deklaroi drejtuesi i njohur bavarez.

Problemet e Musialës u bënë publike gjatë verës, kur futbollisti pësoi disa episode të fikëti të papritura. Pas episodit të dytë, vetë lojtari vendosi të shpjegonte situatën përmes një reagimi në rrjetet sociale, duke zbuluar se ishte diagnostikuar me një çrregullim neurologjik.

“Kam marrë diagnozën e episodeve të shkurtra dhe të përkohshme të shkëputjes së vetëdijes, të shkaktuara nga një mosfunksionim neurologjik”, kishte bërë të ditur Musiala.

Futbollisti vazhdon t'u nënshtrohet kontrolleve të rregullta mjekësore, ndërsa te Bayern nuk duan të marrin asnjë rrezik me rikthimin e tij në fushë. Hoeness pranoi se aktualisht nuk ka siguri nëse Musiala do të jetë në gjendje të rikuperojë nivelin që kishte përpara problemeve shëndetësore.

“Nuk e dimë nëse do të arrijë ndonjëherë të rikthehet në nivelin e performancës që kishte më parë”, u shpreh ai.

Megjithatë, Hoeness theksoi se klubi duhet të qëndrojë pranë futbollistit edhe në këtë periudhë të vështirë. Ai mori si shembull kontratën e lojtarit, duke nënvizuar se Bayern nuk duhet të vërë në diskutim detyrimet financiare ndaj tij për shkak të gjendjes shëndetësore.

“Imagjinoni sikur Bayern të vinte tani në diskutim kontratën e tij, duke thënë se ajo që është në gjendje të bëjë aktualisht nuk përputhet me atë që parashikohet në marrëveshje”, përfundoi Hoeness.

Mesazhi i drejtuesit bavarez është i qartë: për momentin, shëndeti i Musialës mbetet prioritet, ndërsa koha dhe kontrollet mjekësore do të përcaktojnë hapat e mëtejshëm të karrierës së tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco