I ftuar në një intervistë për Syri TV, në një bisedë me moderatoren Sibora Bitri, anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Jonathan Pano, komentoi protestat e studentëve dhe mbështetjen e Partisë Demokratike për këtë lëvizje.
Pano vlerësoi angazhimin e strukturave të PD-së në krah të studentëve, duke theksuar se opozita nuk po organizon protesta paralele, por po vë në dispozicion të kauzës studentore burimet dhe mbështetjen e saj.
Pano u ndal edhe te kërkesat e protestuesve, duke nënvizuar se pas 133 ditësh pa përgjigje nga qeveria, dialogu nuk është më një alternativë dhe kërkesa e vetme është dorëheqja e Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ai bëri gjithashtu thirrje për bashkimin e forcave opozitare, duke theksuar se largimi i Ramës duhet të jetë emëruesi i përbashkët i opozitës.
Intervista në studio:
Bitri: Ndërkohë protestat e studentëve i kemi prej shumë ditësh dhe kanë qenë më të përshkallëzuara, flas nga intensiteti i tyre, ndryshe nga ato të flamingove. Si e ke parë në përgjithësi edhe protestat e të shtunës, por edhe në vijimësi çdo ditë të javës të studentëve?
Pano: Shiko, përgjatë këtyre 13 viteve opozitë e Partisë Demokratike, duket që di të organizojë protesta, di të angazhohet nëpër protesta dhe organizimi i saj strukturor. Ne kemi qenë gjithmonë që në ditët e para, unë personalisht dhe anëtarë të Partisë Demokratike kanë qenë në mbështetje të studentëve. Pra kemi qenë tek Ministria e Arsimit dhe më pas këto lëvizjet që janë bërë përpara Kryeministrisë dhe përpara institucioneve të tjera. Por e shikoj si një faktor shumë pozitiv që Partia Demokratike ka thirrur protesta kombëtare në suport të studentëve, pra nuk po bëhen dy protesta paralele. Partia Demokratike nuk mban një miting paralelisht me studentët apo të rivalizojë studentët. Por burimet e saj njerëzore, strukturat e veta i ka vënë në dispozicion të kësaj që quhet tani kauza studentore dhe protesta studentore. Kjo e parë nga një valë masive protestash këto, le të themi, katër muajt e fundit, ku nisi me protestat që u quajtën protestat e flamingove. Partia Demokratike ishte pjesë e tyre, anëtarë të PD-së kanë qenë pjesë e tyre, unë personalisht kam qenë. Dhe nga kauza e Zvërnecit u vu re që kaloi dhe pastaj u kthye në një protestë kombëtare për disa thirrje, të cilat ishin ato pesë pikat. Pra shfuqizimi i paketës së maleve, shfuqizimi i ligjit për investitorët strategjikë e të tjera me radhë. Po kur u pa që në 133 ditë, Kryeministri Rama bashkë me grupin e tij, vetëm tallej, bënte meme gjatë gjithë kohës nëpër rrjetet sociale, që të përçudnonte apo të bullizonte online faktorë të opozitës dhe studentë, atëherë u pa që studentët me rikthimin edhe me fillimin e vitit të ri universitar patën një revoltë tjetër. Dhe nga pesë pika shkuan në një pikë të vetme që ishte e panegociueshme, dhe nuk ka më kohë për dialog. Sepse të ishte për dialog, kishte 133 ditë kohë për dialog.
Bitri: Tani ka hapur edhe platformën online ku mund të komunikojnë ministrin, për çdo kritikë, për çdo problematikë, për çdo pyetje mund t'i drejtoheni online Kryeministrit.
Pano: Dhe jam i sigurt që do ketë pafund nga këto chat-bot-et e veta që do çojnë kërkesa dhe do çojnë pyetje apo nga këto këshilltarët e vet që i ka ose dhe deputetët e vet që bëjnë si studenta, thjesht për të fryrë numrin e pyetjeve që bëjnë si studentë. Por që gjithsesi, pika është një dhe e vetme, dorëheqja e Kryeministrit dhe një qeveri tranzitore. Jo të zgjedhjet e parakohshme se zgjedhjet e parakohshme i kemi nga 30 deri në 45 ditë. Për qeveri tranzitore do të thotë depolitizimi i administratës publike. Të ngrihet një qeveri e cila le të jetë jopartiake, të jetë e paanshme, të bëhet një depolitizim i administratës publike dhe i këtij sistemi që të kemi mundësi të shkojmë në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në fund fare kjo është ajo çfarë ne po kërkojmë. Dhe në fund secila parti politike duhet të japë alternativën e vet, të përfaqësohet me ekipin e vet dhe të ketë mundësi që të ngrejë frymën e vet. Në qoftë se Partia Demokratike do të jetë e aftë që të ngrejë ekipin, figurat, personat dhe të ketë programin që qytetarët do ta besojnë, atëherë Partia Demokratike do të jetë ajo forcë qeverisëse. Në qoftë se ne nuk do të arrijmë, atëherë qytetarët do të jenë të paktën të lirë të zgjedhin se ku duan të shikojnë vendin e tyre.
Bitri: Në këtë momente që flasim, jemi përpara faktit që është dekretuar data e zgjedhjeve lokale, të paktën në datën 9 maj 2027. Opozita sigurisht ka thënë ne do të marrim pjesë, nuk do të bëjmë më nga ato historitë që do të bojkotojmë e të gjitha me radhë, do të jetë pjesë e zgjedhjeve.
Pano: U pa, u pa rezultati i asaj.
Bitri: E kuptoj. Por këtë herë do të jenë në zgjedhje dhe do të shihet edhe kandidati më i mirë, pse jo. Por marrë parasysh edhe nga disa sondazhe, po edhe nga çfarë ka deklaruar vetë lideri i Partisë Demokratike, zoti Berisha apo edhe të tjerë partive të vogla që, opozita e bërë bashkë, e shumtë në numër mund të maksimizojë votën e saj dhe për shembull, sondazhi i fundit për Tiranën e nxirrte fituese partitë opozitare.
Pano: Kjo është një këmbanë alarmi që ne duhet të veprojmë. Ne si forca më e madhe opozitare duhet të shtrijmë duart ashtu siç e kemi bërë, të zgjasim dorën tonë te të gjitha partitë e tjera të cilat mund të jenë parti më të vogla, parti opozitare që në fund fare të pyesin ore cili është emëruesi i përbashkët? Çfarë është ajo që ne duam të realizojmë? A është largimi i Ramës? Po. Atëherë statistikisht, ne kemi nevojë që të jemi të gjithë bashkë. Nuk mund ta anatemosh një parti që ka 5000 vota që të thotë ne jemi opozita dhe për të thënë të vërtetën unë vetëm në Shqipëri e kam parë që ka protestues që kërkojnë të marrin rolin e opozitës. Njerëzit thonë ne jemi populli, ne jemi shumica. Këtu kemi parë këto partitë e vogla që me grupin e vet që bëjnë si studentë, dalin dhe thonë ne jemi opozita.
© SYRI.net
Aktivisti proteston i vetëm: Ku janë partitë e vogla dhe simpatizantët e paguar nga Rama për të larguar opozitën?
VIDEO/ Vasili: Gjykata Kushtetuese po shkel Kushtetutën, ONM-ja ka përfunduar misionin e saj
SYRI TV/ Rrezikojnë mjedisin e shëndetin, Rama urdhëron ERE: Tec-et lundruese licensohen për 5 vjet