Një 50-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi është kapur duke mbajtur lëndë narkotike që dyshohet se do t’i shiste në zonën e Velletrit, në Romë.

Shqiptari, i njohur më parë për autoritetet italiane, ndodhej në arrest shtëpiak në momentin kur u zbulua nga policia.

Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit të 3 nëntorit, gjatë kontrolleve rutinë ndaj personave që u nënshtrohen masave kufizuese.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, efektivët zbuluan dhe sekuestruan 55 gramë lëndë narkotike. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u morën edhe një peshore elektronike dhe materiale të tjera që dyshohet se përdoreshin për ndarjen dhe paketimin e dozave për shitje me pakicë.