Leon Frokaj shënon sërish në Zvicër, realizon gol ndaj liderit Lugano
Leon Frokaj ka vazhduar me paraqitje pozitive në kampionatin zviceran, duke gjetur sërish rrugën drejt rrjetës në fitoren e thellë të St. Gallenit ndaj Luganos.
Skuadra e mesfushorit kosovar triumfoi me rezultat 5-0 në kuadër të javës së 13-të të Superligës së Zvicrës, ndërsa Frokaj kontribuoi me golin e fundit të takimit.
Futbollisti 21-vjeçar realizoi në minutën e 84-t, vetëm katër minuta pasi u inkuadrua në lojë. Ky ishte goli i tij i dytë në nëntë paraqitje këtë sezon.
Frokaj kishte shënuar edhe më 9 gusht, në përballjen ndaj Thunit, skuadrës që aktualisht mban titullin e kampionit të Zvicrës.
Fitorja e St. Gallenit u lehtësua nga përjashtimi i Albian Ajetit, i cili u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 11-të, duke e lënë Luganon me dhjetë futbollistë për pjesën më të madhe të ndeshjes.
Në këtë takim u paraqitën edhe futbollistë të tjerë shqiptarë. Betim Fazliji u inkuadrua te St. Galleni në minutën e 76-të, ndërsa për Luganon Uran Bislimi luajti deri në minutën e 80-të dhe Ezgjan Alioski hyri në fushë në minutën e 65-të.

Pavarësisht humbjes së rëndë, Lugano vazhdon të kryesojë tabelën me 34 pikë, ndërsa St. Galleni renditet me 22 pikë. /Telegrafi/


































