Bassuener kërkon hetim evropian për Banjskën: Të hetohet përfshirja e strukturave shtetërore serbe

Analisti gjerman i politikave për Ballkanin Perëndimor, Kurt W. Bassuener, ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet një çështje që kërkon vëmendje, duke kërkuar angazhim më të madh të Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë për forcimin e pranisë së KFOR-it.
Në një intervistë për Telegrafin, bashkëthemeluesi i Këshillit për Politika të Demokratizimit (DPC) ka thënë se përveç përforcimit të pranisë ushtarake ndërkombëtare, nevojitet edhe një qasje më pak e orientuar automatikisht në favor të Beogradit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Duke folur për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, Bassuener ka vlerësuar se qeveria e re e Kosovës duhet të kërkojë ndihmën evropiane për hetimin e përfshirjes së strukturave shtetërore të sigurisë së Serbisë në këtë ngjarje.
Po ashtu shtoi se zbardhja e plotë e sulmit është e domosdoshme për të vendosur përgjegjësi dhe për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla.
“Nuk do të ketë përgjegjësi të mirëfilltë pa u zbardhur plotësisht ngjarje të tilla”, ka deklaruar Bassuener.
I pyetur për mundësinë e rikthimit të tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, analisti ka thënë se, pavarësisht paqartësive dhe mesazheve të përziera nga Lista Studentore lidhur me Kosovën, është e vështirë të imagjinohet një aventurizëm i ngjashëm me atë të Banjskës, me miratimin zyrtar të qeverisë.
Megjithatë, ai ka theksuar se largimi i Aleksandar Vuçiqit nga pushteti nuk do të nënkuptojë domosdoshmërisht ndryshim të menjëhershëm të qasjes së Serbisë ndaj Kosovës.
Bassuener ka thënë se çështja e Kosovës mund të jetë një nga sfidat më të vështira për një Serbi pas Vuçiqit, për shkak të diskursit publik nacionalist që është ndërtuar ndër vite./Telegrafi.






































