Policia italiane ka zhvilluar një seri operacionesh kundër trafikut të drogës në Romë, ku kanë përfunduar në pranga shtatë persona, mes tyre edhe shtetas shqiptarë. Operacionet u shtrinë në zonat Tor Bella Monaca, Ponte di Nona dhe në stacionin hekurudhor Tiburtina. Gjatë ndërhyrjeve u sekuestruan mbi 500 doza narkotikësh, kryesisht kokainë, si dhe 37 gramë shaboo.
Sipas mediave italiane, në zonën Tor Bella Monaca dy të rinj dyshohet se kishin ngritur një skemë të shpërndarjes së kokainës, duke përdorur ballkonet e pallateve për të furnizuar klientët.
Policia zbuloi 261 doza kokainë të fshehura në ashensorin e një pallati dhe 63 të tjera në një çantë. Kontrolle të tjera u kryen në Via dell’Archeologia, ku u arrestuan dy persona të moshës 53 dhe 28 vjeç, të cilëve iu gjetën dhjetëra doza kokainë.
Ndërkohë, në stacionin Tiburtina u ndalua një 29-vjeçar që kishte mbërritur me tren nga Torino. Gjatë kontrollit të bagazhit të tij u zbuluan 37 gramë shaboo në formë kristalesh. Dy arrestimet e fundit u regjistruan në Ponte di Nona, ku policia sekuestroi doza të tjera kokaine të fshehura në veshje. Operacionet u kryen në kuadër të luftës kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike.













