Pas disa muajsh ndërprerje, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore pritet të rifillojë punën të hënën, në një klimë të tensionuar politike, pas protestave të fundjavës në kryeqytet. Socialistët dhe demokratët do të përballen sërish në tryezën e diskutimeve, por pa një dakordësi paraprake për çështjet që do të trajtohen.

Sipas burimeve nga Partia Demokratike, agjenda e mbledhjes është përcaktuar nga socialistët, të cilët synojnë të përshtatin kuadrin ligjor për zhvillimin e zgjedhjeve vendore pas miratimit të ndarjes së re territoriale, që parashikon 46 bashki në vend.

Në rendin e ditës janë përfshirë dy çështje kryesore: detyrimet që burojnë nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore në kuadër të reformës zgjedhore, si dhe vijimi i shqyrtimit të projektligjit për financimin e partive politike dhe çështjeve të tjera të mbetura pezull.

Nga ana e opozitës, bashkëkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi, ka kërkuar që fokusi i diskutimeve të jetë zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Sipas tij, reforma duhet të garantojë edhe ndarjen e shtetit nga partia në pushtet.

Një tjetër pikë ku palët kanë qëndrime të ndryshme është sistemi zgjedhor. PD kërkon lista 100% të hapura, përfshirë edhe zgjedhjen e këshillave bashkiakë. Ndërsa PS është shprehur e gatshme të diskutojë ndryshimin e sistemit, por kërkon që në të njëjtën paketë kushtetuese të përfshihet edhe ulja e numrit të deputetëve nga 140 në 101.

Komisioni drejtohet nga Oerd Bylykbashi i PD-së dhe Damian Gjiknuri i PS-së, ndërsa mandati i tij përfundon në fund të muajit nëntor.