Rusia po intensifikon sulmet ndaj Ukrainës, duke vënë në shënjestër ekonominë dhe infrastrukturën jetike të vendit. Centralet elektrike, fabrikat, portet dhe hekurudhat po goditen gjithnjë e më shpesh nga raketat dhe dronët rusë. Sipas një analize të CNN, presidenti Vladimir Putin po përpiqet të dobësojë ekonominë ukrainase, në një kohë kur ushtria ruse po has vështirësi për të avancuar në frontin lindor. Përshkallëzimi i sulmeve vjen vetëm pak ditë përpara bisedimeve të reja për paqen, që pritet të zhvillohen me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara. Pasojat e bombardimeve po ndihen drejtpërdrejt nga popullsia civile. Mbi 600 mijë banorë mbetën pa energji elektrike në rajonin e Dnipropetrovskut, pas sulmeve ruse ndaj rrjetit energjetik.