Flamujt në Poloni do të qëndrojnë në gjysmështizë për dy ditë, pas sulmit me armë në Krakov, ku humbën jetën gjashtë persona dhe u plagosën 16 të tjerë. Presidenti i vendit shpalli dy ditë zie kombëtare, ndërsa autoritetet po e hetojnë ngjarjen si një akt terrorist.
Sulmi ndodhi në qendër të Krakovit, qyteti i dytë më i madh i Polonisë, dhe është cilësuar si ngjarja më e rëndë e këtij lloji në vend gjatë dekadave të fundit. Sipas policisë, 25-vjeçari Michal Oksinski mbërriti me makinë në Sheshin Kryesor të Tregut dhe hapi zjarr ndaj njerëzve të rastësishëm.
Të lidhura
None found
Oficerët e policisë qëlluan ndaj të dyshuarit dhe e plagosën. Autoritetet konfirmuan se gjashtë viktimat e sulmit ishin katër gra dhe dy burra. Në mesin e 16 të plagosurve ndodheshin edhe dy policë, ndërsa njëri prej tyre raportohet në gjendje kritike.
Policia bëri të ditur se agresori kishte veshur uniformë ushtarake, por nuk rezultonte të kishte lidhje me ushtrinë. Në automjetin e tij u gjetën armë të tjera zjarri dhe një sasi e madhe municionesh.
Pas të shtënave, në zonë shpërtheu panik dhe njerëzit u panë duke vrapuar për t’u larguar.
Ndërkohë, autoritetet gjetën edhe tre trupa të pajetë në apartamentin e 25-vjeçarit: babain e tij 53-vjeçar, nënën 52-vjeçare dhe motrën 20-vjeçare. Të tre dyshohet se kishin plagë të shkaktuara nga të shtënat me armë zjarri, duke e çuar në nëntë numrin e viktimave.
25-vjeçari Oksiński dyshohet se kishte lidhje me të djathtën ekstreme.








