Lando Norris me McLaren fitoi të dielën në mbrëmje garën e Cmimit të Madh të Brazilit në Formula 1, zhvilluar në pistën e Interlagos. Një garë që nisi në pistë të lagur dhe përfundoi nën një shi të lehtë, duke e bërë atë interesante edhe për shkak të strategjisë së gomave.
Në vendin e dytë u klasifikua Max Verstappen me Red Bull, që e nisi garën nga vendi i parafundit, por arriti të bëjë një rikuperim fantastik. Gjithesi, fitorja ishte një “mision i pamundur” për të. Në vendin e tretë u klasifikua makina tjetër Red Bull, ajo e Isack Hadjar.
Në vendet 4-5 u renditën dy makinat Mercedes, me George Russell që la pas shokun e tij të skuadrës Kimi Antonelli, që një javë më parë u shpall kampion bote për pilotë. Ndërkohë që, pas kësaj gare, Mercedes siguroi titullin kampion për konstruktorë, një titull i merituar.

Makina që zhgënjeu sot ishte Ferrari, që u klasifikua në vendet 7 me Charles Leclerc dhe 9 me Lewis Hamilton. Në vendin e gjashtë u rendit Oscar Piastri me McLaren e mes dy makinave Ferrari u rendit Liam Lawson me RB. Pikën e fundit e mori Nico Hulkenberg (vendi 10).
Sa i përket garës, ajo nisi mirë për Antonelli, që del i pari në start, por më pas është Norris që arrin të përfitojë nga situatat e krijuara në pistë. Me pistën që thahet gradualisht, pilotët nisin të kalojnë nga gomat e ndërmjetme në ato të thata, duke bërë që Red Bull të jetë më e suksesshme.
Ferrari vuan shumë, po ashtu edhe Mercedes, dy makina që kanë probleme në pistë e rrezikojnë të përplasen. Norris krijon një epërsi të madhe dhe rikthimi i shiut (makinat vendosin sërish gomat e ndërmjetme) nuk sjellë surpriza, me britanikun që mbron kreun dhe korr fitoren.








