Egnatia pa rivalë, shkatërron Vorën me pesë gola dhe shkëputet në krye të Superiores

Egnatia pa rivalë, shkatërron Vorën me pesë gola dhe shkëputet në krye të Superiores

20:32, 08/11/2026

Egnatia vazhdon të konfirmojë forcën e saj në Superiore. Kampionët në fuqi dhuruan një tjetër paraqitje bindëse, duke mposhtur Vorën me rezultatin e thellë 5-1 në ndeshjen që mbylli javën e 11-të të kampionatit. Me këtë sukses, skuadra e drejtuar nga Nevil Dede merr arratinë në krye të renditjes, duke u shkëputur nga ndjekësit.

Rrogozhinasit e nisën ndeshjen me synimin për të marrë tri pikët dhe arritën të zhbllokonin rezultatin në minutën e 35-të. Pas një aksioni të gjatë të vendasve, Kryeziu lëshoi një goditje të fortë dhe të saktë tokazi, duke mposhtur portierin Harizaj për 1-0.

Në pjesën e dytë, Vora provoi të rikthehej në lojë dhe pati disa momente të rrezikshme, ndërsa në minutën e 69-të arriti të barazonte shifrat. Një gabim i Bitrit dhe dalja e portierit Tandilashvili krijuan mundësinë për Karricën, i cili goditi nga një distancë e konsiderueshme dhe dërgoi topin në rrjetë për 1-1.

Megjithatë, gëzimi i miqve zgjati shumë pak. Vetëm katër minuta më vonë, Adjesa përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe, fare pranë portës, riktheu avantazhin e Egnatias në 2-1.

Pas këtij momenti, vendasit morën plotësisht kontrollin e lojës. Në minutën e 80-të, Fernando finalizoi në mënyrë perfekte një kundërsulm të shpejtë, duke dalë i vetëm përballë Harizajt dhe duke çuar rezultatin në 3-1.

Spektakli vazhdoi edhe në minutën e 85-të, kur Kasa mori përsipër një goditje nga distanca. Futbollisti i Egnatias lëshoi një predhë të fuqishme me të majtën, duke realizuar një tjetër gol të bukur për 4-1.

Festën e vendasve e kompletoi Albanese në minutën e 90-të. Ai provoi gjithashtu nga jashtë zonës dhe mposhti Harizajn, duke vulosur shifrat përfundimtare 5-1.

Një fitore bindëse për Egnatian, e cila jo vetëm konfirmon momentin e shkëlqyer, por edhe dërgon një mesazh të qartë për rivalët në garën për titullin kampion.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco