Ilse Aigner mund të bëhet presidentja e parë grua e Gjermanisë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka njoftuar drejtuesit e partisë së tij se do të propozojë Ilse Aigner, kryetaren e Parlamentit të landit të Bavarisë, si kandidate për presidente të Gjermanisë.
Lajmi është bërë i ditur nga agjencia dpa, duke cituar burime brenda partisë. Nëse zgjidhet, Aigner do të bëhej gruaja e parë që merr postin më të lartë shtetëror në Gjermani, transmeton Telegrafi.
Presidenti gjerman zgjidhet nga Asambleja Federale, një organ që mblidhet posaçërisht për këtë qëllim. Votimi për pasuesin e presidentit aktual, Frank-Walter Steinmeier, është caktuar të mbahet më 30 janar. Mandati i tij i dytë pesëvjeçar përfundon në marsin e ardhshëm.
Partia e Merz-it dhe partnerja e saj në koalicion, Partia Socialdemokrate (SPD), kanë një shumicë prej rreth 50 votash në Asamblenë Federale. Për këtë arsye, zgjedhja e deputetes 61-vjeçare konsiderohet shumë e mundshme.
Asambleja përbëhet nga 630 deputetët e Bundestagut dhe po aq përfaqësues të zgjedhur nga parlamentet e 16 landeve gjermane. Shumica e këtyre delegatëve janë deputetë të parlamenteve rajonale, të caktuar në bazë të përfaqësimit partiak, por në mesin e tyre mund të ketë edhe politikanë lokalë dhe figura publike.
Për të kandiduar për president të Gjermanisë, një person duhet të ketë shtetësi gjermane, të jetë së paku 40 vjeç dhe të ketë të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare. Presidenti mund të shërbejë maksimumi dy mandate të njëpasnjëshme, nga pesë vjet secili. /Telegrafi/







































