Një ngjarje e rëndë është zbuluar në zonën e Agios Panteleimonas, në Athinë, ku trupi i pajetë i një gruaje është gjetur i fshehur brenda një valixheje të braktisur në trotuar.
Sipas informacioneve paraprake të mediave greke, viktima dyshohet të jetë një grua e re me origjinë afrikane. Në trupin e saj nuk janë konstatuar shenja të dukshme dhune, ndërsa për shkak të gjendjes së dekompozimit, mjekët vlerësojnë se vdekja mund të ketë ndodhur rreth pesë ditë deri në një javë më parë.
Të lidhura
None found
Shkaqet e vdekjes mbeten ende të paqarta. Hetuesit po shqyrtojnë disa pista, duke përfshirë mundësinë e një vrasjeje, por edhe atë të përdorimit të lëndëve narkotike.
Përgjigjet pritet të dalin nga autopsia dhe ekspertiza mjeko-ligjore, e planifikuar për të hënën, më 9 nëntor.
Valixhja u zbulua nga një shtetas i huaj, i cili vuri re një erë të rëndë dhe njoftoi menjëherë autoritetet. Policia mbërriti në kryqëzimin e rrugëve Alkamenous dhe Harissis, ku gjatë kontrollit konstatoi se brenda saj ndodhej trupi i një personi.
Policia greke vijon hetimet për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.








