Qeveria e shtetit të Rio de Zhaneiros konfirmoi se dhjetë persona kanë humbur jetën, mes tyre pesë fëmijë. Mediat braziliane raportojnë se në mesin e viktimave ishte edhe një foshnjë.
Dhjetë persona humbën jetën pasi një automjet përfundoi në ujërat e një liqeni, në një zonë rurale të bashkisë Barra Mansa, në shtetin e Rio de Zhaneiros, Brazil.
Aksidenti ndodhi në orët e para të së dielës, pasi një kalimtar njoftoi autoritetet, kur vuri re automjetin e zhytur në ujë, shkruan Euronews.
“Viktimat kishin ndërruar jetë që në momentin kur u nxorën nga automjeti”, bëri të ditur qeveria e shtetit të Rio de Zhaneiros në një deklaratë, të cituar nga agjencia AFP.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, autoritetet e Rio de Zhaneiros shprehën ngushëllimet për tragjedinë, duke konfirmuar se viktimat ishin pesë të rritur dhe pesë fëmijë.
Disa media braziliane raportuan se mes viktimave ishte edhe një foshnjë vajzë. Deri më tani, identitetet e personave që humbën jetën nuk janë bërë publike.
Në vendngjarje u dërguan ekipet e emergjencës. Zjarrfikësit arritën të nxirrnin trupat e viktimave nga automjeti i zhytur në liqen, me ndihmën e dy zhytësve.
Autoritetet lokale e kanë klasifikuar ngjarjen si aksident, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e saj. Sipas medias G1, e cila citon një të afërm të viktimave, të dhjetë personat i përkisnin së njëjtës familje.
Rajoni i Rio de Zhaneiros u përfshi nga reshje të dendura shiu gjatë së shtunës, të cilat shkaktuan përmbytje në disa rrugë, përfshirë edhe zona turistike si Copacabana.