Deputeti i zgjedhur shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se lista nr. 3, e udhëhequr nga Enkel Rexhepi, ka dalë e para në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, duke marrë 4.769 vota dhe siguruar 10 nga 29 mandatet, bazuar në rezultatet preliminare.
Kamberi ka thënë se lista e përbërë nga Partia për Veprim Demokratik dhe Aleanca për Luginën do të nisë menjëherë bisedimet me listat e tjera për konstituimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka falënderuar qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që morën pjesë në votime dhe i dhanë besimin kësaj liste.
“DOLËM TË PARËT! Sipas rezultateve preliminare, lista nr. 3, e udhëhequr nga Enkel Rexhepi, mori 4.769 vota. Këto vota na japin 10 nga 29 mandatet në Këshillin Kombëtar Shqiptar”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka theksuar se Këshilli Kombëtar Shqiptar ka për detyrë të përfaqësojë të gjithë shqiptarët e Luginës dhe të angazhohet për shkollimin dhe librat në gjuhën shqipe, ruajtjen e kulturës shqiptare dhe përdorimin e shqipes në institucione.