Reforma Zgjedhore, PD kërkon ndryshimin e rendit të ditës: Të diskutohet ndarja e shtetit nga partia
Partia Demokratike ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës së mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, të planifikuar për sot në orën 13:00, duke kundërshtuar përfshirjen e disa çështjeve pa konsensusin e opozitës.
Bashkëkryetari demokrat i Komisionit, Oerd Bylykbashi, i ka dërguar një email bashkëkryetarit socialist, Damian Gjiknuri, dhe anëtarëve të tjerë, ku kërkon heqjen e pikës që lidhet me reflektimin në Kodin Zgjedhor të ndryshimeve të sjella nga harta e re territoriale.
Në vend të saj, Bylykbashi kërkon që mbledhja t’i kushtohet rekomandimit të OSBE/ODIHR për ndarjen e shtetit nga partia dhe parandalimin e abuzimit me burimet dhe pushtetin shtetëror gjatë zgjedhjeve.
Në kërkesën e tij, Bylykbashi thekson se rendi i ditës është përcaktuar në mënyrë të njëanshme dhe pa dakordësinë e të dy bashkëkryetarëve. Ai kujton se puna e Komisionit duhet të bazohet në konsensusin mes mazhorancës dhe opozitës.
Sipas tij, çështja e ndarjes së shtetit nga partia është diskutuar edhe më herët në Komision, gjatë muajve qershor-korrik, ndërsa është zhvilluar edhe një tryezë konsultimi me ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Bylykbashi argumenton se kjo është një çështje prioritare, që duhet të përfundojë përpara zgjedhjeve të 9 majit 2027, duke pasur parasysh se mandati i Komisionit përfundon më 30 nëntor.
Në përfundim, bashkëkryetari demokrat kërkon që deri në orën 11:00 t’u komunikohet zyrtarisht anëtarëve rendi i ditës i ndryshuar.
Ndërkohë, në rendin aktual të mbledhjes së orës 13:00 janë parashikuar diskutimi mbi detyrimet që rrjedhin nga miratimi i hartës së re territoriale dhe projektligji për financimin e partive politike.
Kërkesa e plotë e bashkëkryetarit të Komisionit të Posacëm për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi
“I nderuar bashkëkryetar, të nderuar anëtarë të Komisionit të Posaçëm,
Komisioni, në punën e tij, bazohet tek rregulli themelor i konsensusit mes të dy palëve pozitë-oppzitë për çdo aspekt formal dhe përmbajtësor të punës së tij. Për këtë arsye është i ndërtuar mbi barazinë pozitë-opozitë të përbërjes së tij, drejtimin me bashkëkryesim dhe veton e secilës palë.
Pika e parë e rendit të ditës për mbledhjen e sotme në lidhje me detyrime që sipas njoftimit, i vikan Komisionit nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore, nuk është rekomandim i OSBE/ODIHR, nuk është dakordësuar mes bashkëkryetarëve, është futur në mënyrë të njëanshme në rendin e ditës dhe është kundërshtuar menjëherë në grupin e komunikimit të Komisionit nga anëtarët e opozitës, pas njoftimit të rendit të ditës.
Deri më sot, çështja e debatueshme nuk është hequr nga diskutimi. Në cilësinë e bashkëkryetarit dhe bazuar në kompetencën që më jep ky funksion, kërkoj heqjen e pikës 1 sipas njoftimit të datës 5 nëntor 2026 nga rendi i ditës për diskutim në mbledhjen e datës së sotme, 9 nëntor 2026.
Kërkoj zëvendësimin e saj me çështjen prioritare të rekomandimeve të ODIHR për “garantimin e fushës së barabartë të garës duke ndarë shtetin nga partia dhe ndalimin e abuzimit me pushtetin shtetëror në zgjedhje”. Kjo çështje është hapur për diskutim në Komision në muajt qershor-korrik dhe për të është organizuar nga Komisioni edhe një tryezë e madhe konsultimi me partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile. Kjo çështje është priorotare për t’u përfunduar nga Komisioni para zgjedhjeve të 9 majit 2027.
Mandati i Komisionit mbaron më 30 nëntor dhe çdo devijim nga prioritetet e punës sonë pengon arritjen e objektivave të tij.
Për sa më sipër kërkoj që deri në ora 11.00 të ditës së sotme, t’i komunikohet formalisht komisionit nga sekretaria rendi i ditës i ndryshuar.




