Një zjarr i përmasave të mëdha në një pallat banimi në Kinën veriore ka shkaktuar të paktën 14 viktima, ndërsa dhjetëra persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Bilanci tragjik u konfirmua mëngjesin e së hënës nga mediat shtetërore kineze, pasi numri i viktimave u rrit krahasuar me raportimet fillestare.
Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00 të së dielës, në një ndërtesë banimi në qytetin Taiyuan, në provincën Shanxi. Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Xinhua, fillimisht 38 persona u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pesë prej të cilëve nuk arritën t’u mbijetonin plagëve. Gjatë orëve në vijim, numri i viktimave u rrit në 14.
Zjarri u vu nën kontroll gjatë së dielës, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit përfunduan. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit.
Zjarret me pasoja fatale janë një problem i përsëritur në Kinë, ku shpesh ngrihen shqetësime për respektimin e standardeve të sigurisë në ndërtesa dhe në vendet e punës.
Pas një zjarri masiv që përfshiu disa kulla banimi në Hong Kong në nëntor të vitit të kaluar, ku humbën jetën 168 persona, Kina nisi një fushatë për evidentimin dhe eliminimin e rreziqeve nga zjarri në ndërtesat e larta.
Megjithatë, tragjeditë kanë vijuar. Një muaj më vonë, një zjarr në një ndërtesë banimi në provincën Guangdong shkaktoi 12 viktima, ndërsa në korrik, një tjetër zjarr që përfshiu një fabrikë këpucësh në Kinën lindore u mori jetën të paktën 28 personave.
