Kryeministri, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të mërgatës shqiptare në Francë, para pjesëmarrjes në Forumin e Paqes që mbahet në Paris, ku ka diskutuar për mundësitë e përfshirjes më të madhe të diasporës në zhvillimin ekonomik dhe institucional të Kosovës.
Gjatë takimit, të mbajtur të dielën në kuadër të vizitës zyrtare në Francë, Kurti ka vlerësuar kontributin e mërgatës në forcimin e institucioneve të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e përvojës, ekspertizës dhe kulturës së punës që bashkatdhetarët mund të sjellin nga vendet ku jetojnë dhe veprojnë.
Ai ka bërë të ditur se, përmes mekanizmit “Dritarja për Investime të Diasporës”, Qeveria synon të mbështesë ndërmarrësit nga mërgata që dëshirojnë të investojnë në Kosovë.
Sipas Kurtit, shteti do të shërbejë si garant për kreditë e marra për këto investime, me qëllim të lehtësimit të qasjes në financim.
“Kësisoj mërgata lëvizë drejt kapërcimit nga sakrifica për të kontribuuar në investim për të fituar”, ka deklaruar Kurti.
Krahas kësaj, kryeministri ka përmendur edhe Programin 1 Miliard Euro për prodhim dhe industri, i cili synon mbështetjen e projekteve strategjike dhe prioritare në sektorin industrial.