Policia e Tiranës ka arrestuar këtë të hënë, 9 nëntor, autorin e dyshuar të grabitjes së një filiali bankar në zonën e Komunës së Parisit, ngjarje e ndodhur më 2 nëntor.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se në pranga ka rënë Robert Duka, 50 vjeç, nga Vlora, i cili dyshohet se ka marrë rreth 60 mijë euro gjatë grabitjes.
50-vjeçari është arrestuar pranë Rrugës së Kosovarëve në Tiranë. Sipas raportimeve, ai kishte marrë një banesë me qira në kryeqytet, ku fshihej pas grabitjes, ndërsa banonte në Vlorë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:45 të datës 2 nëntor. Një person i maskuar dhe i veshur me rroba të errëta hyri në ambientet e bankës dhe, nën kërcënimin e armës, iu drejtua fillimisht punonjësit të sigurisë dhe më pas arkëtares, duke i kërkuar paratë.
Pasi mori shumën e parave, autori u largua me një monopatinë elektrike dhe humbi gjurmët në rrugët e kryeqytetit.
Policia ngriti pika kontrolli dhe nisi hetimet për identifikimin dhe kapjen e tij. Ndërkohë, janë publikuar edhe pamjet filmike që tregojnë momentin kur personi i dyshuar largohet me monopatinë pas grabitjes.a.b





