Aksidentohet autobusi në Qafën e Koshovicës, shkak parakalimi i gabuar i “Volkswagen”
Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për Emiljano Shullazin dhe Lulzim Berishën.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se sipas pretencës së SPAK, për Emiljano Shullazin kërkohen 25 vite burg, ndërsa për Lulzim Berishën po ashtu 25 vite heqje lirie. Po ashtu 25 vite burg janë kërkuar edhe për Viktor Ymerin.
Ata akuzohen për vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames ngjarje të ndodhura në shkurt të vitit 2005.
Vrasjet për të cilat u krye hetimi kanë ndodhur në datën 26.02.2005, ku rreth orës 22:00, në vendin e quajtur autostrada Tiranë – Durrës në drejtim të Tiranës, në segmentin rrugor Durrës – Maminas, në afërsi të fshatit Koxhaj është qëlluar me armë zjarri Klodjan Saliu, i cili po lëvizte me makinën e tij tip “Mercedes Benz”, ngjyrë gri me targë DR8907C. Nga këto goditje me armë zjarri ka mbetur i vdekur shtetasi Klodjan Saliu, si dhe është plagosur shtetasi O. Truma, i cili ndodhej në automjet nën shoqërinë e viktimës.
Ngjarja e dytë është ajo e datës 27.02.2005, ku rreth orës 23:50, si pasojë e një shpërthimi me lëndë plasëse, kanë gjetur vdekjen shtetasit Vajdin Lame dhe A. Arsi. Ngjarja ka ndodhur në pallatin ku banonte viktima Vajdin Lame, me adresë Kulla Nr.2, Lagja nr.9, rruga “Dervish Hima”, Tiranë.
Hetimet e procedimeve të regjistruara për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve të veprës penale. Por Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rifilloi hetimet e këtyre procedimeve dhe pas regjistrimit të tyre në regjistrin e procedimeve penale ka vendosur bashkimin e tyre në një procedim të vetëm, ndërsa sot gjykata vendosi të lihen në burg.
Pas rifillimit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme grumbulloi prova të cilat krijonin dyshime të arsyeshme në lidhje me autorët e këtyre dy ngjarjeve të rënda kriminale. Më tej Prokuroria ju drejtua Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj 6 të dyshuarve.
Mbi ta rëndojnë veprat penale si “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Emiliano Shullazi është një personazh i njohur për policinë kriminale në vend, por veçanërisht në kryeqytet dhe në Durrës. Në këto qytete ai ka qenë i dyshuar për aktivitete të ndryshme kriminale. Për gjatë viteve, Shullazi është akuzuar për krime të ndryshme të rënda që nga vrasjet, shpërthimet me eksploziv, apo trafik dhe shitje e shpërndarje droge, si dhe akuza të tjera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Në mënyrë të vazhdueshme ai ka qenë i dyshuar dhe i hetuar disa herë për gjobëvënie dhe shtrëngim me dhunë dhe kanosje për dhënie pasurie, por në shumë pak raste ai është hetuar.
Po ashtu, e shkuara e Viktor Ymerit është tejet problematike, kryesisht në qytetin e Vlorës. Ai njihej edhe për miqësinë e ngushtë që kishte me Gazmend Brakën, i njohur ndryshe si Gaxhai, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm për të njëjtën ngjarje për të cilën Ymerit iu hoq burgimi i përjetshëm.
Ymeri dhe Gaxhai kanë ekzekutuar me kallashnikov Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një grupi tjetër kriminal në Durrës. Ngjarja ndodhi në qershor të vitit 1999.
Por Viktor Ymeri raportohet të jetë edhe daja e Edision Harizaj. Ky i fundit u ekzekutua në Durrës më 7 nëntor të 2018-ës, vetëm një javë pasi Ymeri kishte rrëzuar dënimin me burgim të përjetshëm.
Ndërkohë përveç vrasjeve, emri i Lulëzim Berishës lidhet edhe me trafik ndërkombëtar droge, prostitucion dhe trafik armësh. Ai u arrestua më 6 prill të vitit 2006 për 10 akuza, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera në vitet 98-99.
Më 16 janar të vitit 2012, Gjykata e Krimeve të Rënda të kohës e dënoi me burgim të përjetshëm për 6 vrasje, por Gjykata e Larta, në vitin 2014, rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm dhe vendosi dënimin me 25 vite burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.
Lulzim Berisha qëndroi 10 vjet e tetë muaj në burg deri kur më 5 dhjetor të vitit 2016, u lirua me kusht nga burgu dhe u punësua në Bashkinë e Durrësit, me një vendim të diskutueshëm të Gjykatës së Apelit.
Por më 27 maj të vitit 2022, ishte Gjykata Kushtetuese ajo që vendosi për rikthimin në burg të ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, që duket se fshihej në Spanjë për t’ju shmangur përballjes me drejtësinë.
Top Channel