SPAK kërkon 25 vite burg për Emiljano Shullazin dhe Lulzim Berishën, 158 vite në total për të akuzuarit për vrasjet e vitit 2005
SPAK ka kërkuar nga 25 vite burg për Emiljano Shullazin dhe Lulzim Berishën, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj dhe Klodian Saliut në vitin 2005.
E njëjta masë dënimi, nga 25 vite burg, është kërkuar edhe për Viktor Bajraktarin (Imeraj), Indrit Taullain, Plaurent Dervishajn dhe Indrit Rusin.
Ndërkohë, për Luftar Reçin, bashkëpunëtorin e drejtësisë në këtë çështje, SPAK ka kërkuar 8 vite burgim.
Në total, pretenca e Prokurorisë së Posaçme për shtatë të pandehurit arrin në 158 vite burg. Kërkesa e prokurorisë nuk përbën vendim përfundimtar, pasi tashmë pritet që gjykata të shqyrtojë pretencën dhe të japë vendimin për çështjen.



