Vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, SPAK kërkon nga 25 vite burg për Shullazin, Berishën dhe katër të tjerë
SPAK ka dhënë pretencën për dosjen e vrasjeve të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, të ndodhura në vitin 2005, duke kërkuar dënimin me nga 25 vite burg për gjashtë të pandehurit.
Konkretisht, Prokuroria e Posaçme kërkon nga 25 vite burg për Viktor Imerajn, Emiljano Shullazin, Indrit Taullain, Indrit Rusin, Plaurent Dervishin dhe Lulzim Berishën.
Ndërkohë, për Luftar Reçin, i cili ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, SPAK kërkon 8 vite burg.
Shtatë personat akuzohen për “Vrasje me paramendim”, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal. Sipas Prokurorisë, ata kanë planifikuar dhe bashkëpunuan në ekzekutimin e Klodian Saliut, si dhe në vrasjen me eksploziv të Vajdin Lames.
Klodian Saliu u ekzekutua mbrëmjen e 26 shkurtit 2005, në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Maminasit. Automjeti me të cilin udhëtonte u qëllua me breshëri automatiku, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Një ditë më vonë, më 27 shkurt 2005, një tjetër shpërthim i fuqishëm tritoli në ashensorin e pallatit ku banonte Vajdin Lame në Tiranë i mori jetën atij dhe mikut të tij, Artan Arsit.
Zbardhja e këtyre krimeve u bë e mundur pas dëshmisë së Luftar Reçit, një prej të pandehurve në këtë dosje, i cili bashkëpunoi me drejtësinë.




