Një pianist i një anijeje turistike ka përjetuar një aventurë dramatike, pasi qëndroi rreth nëntë orë në ujërat e Oqeanit Paqësor, pasi ra aksidentalisht në det. Ai u shpëtua nga dy peshkatarë, të cilët e pikasën rastësisht rreth 32 kilometra larg brigjeve të Kalifornisë, pranë ishullit Catalina.
Sipas mediave amerikane, burri punon për kompaninë Royal Caribbean dhe ishte pjesë e ekuipazhit të anijes turistike “Ovation of the Seas”. Dy peshkatarët, Grant Garrett dhe Sean Norton, vunë re një person që po luftonte me dallgët dhe menjëherë iu afruan për ta shpëtuar. “Sapo kuptova se ishte një njeri, u thashë të ndalonim varkën dhe të merrnim menjëherë të gjithë litarët”, tregoi Garrett për CBS News. Pasi e nxorën nga uji, peshkatarët mësuan se ai ishte pianist në anijen turistike. Burri, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, u shpreh i lehtësuar që kishte shpëtuar.
“E vetmja gjë që më tha ishte: ‘Faleminderit. Mendova se do të vdisja’”, rrëfeu Norton. Roja Bregdetare e SHBA-së konfirmoi se kishte marrë njoftim nga një qytetar, i cili kishte shpëtuar një burrë të vetëdijshëm nga deti. Më pas, ai iu dorëzua ekipeve të shpëtimit në Newport Beach, të cilat konfirmuan se ishte anëtar i ekuipazhit të anijes “Ovation of the Seas”.
Pianisti u transportua në spital në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat se si ai përfundoi në det. Dy peshkatarët besojnë se temperaturat relativisht të larta të ujit të Oqeanit Paqësor mund të kenë qenë vendimtare për mbijetesën e tij.
“Kemi një vit jashtëzakonisht intensiv të El Niños. Ky burrë qëndroi në ujë për ndoshta dhjetë orë, por temperatura ishte rreth 24 gradë Celsius. Në një vit tjetër, ai nuk do të kishte pasur asnjë shans për të mbijetuar”, deklaroi Norton. Ndërkohë, kompania Royal Caribbean konfirmoi incidentin dhe bëri të ditur se po i ofron mbështetje punonjësit të saj. “Ne po i ofrojmë mbështetje dhe ndihmë anëtarit të ekuipazhit tonë gjatë kësaj kohe të vështirë”, deklaroi një zëdhënëse e kompanisë për BBC-në, duke shtuar se, për respekt të privatësisë së tij, nuk mund të jepnin informacione të tjera. Ngjarja ka përfunduar me një shpëtim të jashtëzakonshëm, falë vëmendjes dhe reagimit të shpejtë të dy peshkatarëve, të cilët i shpëtuan jetën pianistit pas orësh të tëra në det të hapur.



