Bota

Kinë, inflacioni i çmimeve të prodhimit në nivelin më të lartë në katër vite!

Çmimet e prodhimit në Kinë u rritën me ritmin më të shpejtë që nga qershori 2022, duke shënuar përshpejtim për të tretin muaj radhazi.

Indeksi i Çmimeve të Prodhimit (PPI) u rrit me 5,7% në tetor, kundrejt pritshmërive 5,3% të ekonomistëve të anketuar nga Reuters. Rritja u nxit nga shtrenjtimi i ndjeshëm i çmimeve në industrinë nxjerrëse dhe atë të lëndëve të para.

Sipas Zhang Zhiwei, president dhe kryeekonomist i Pinpoint Asset Management, rritja u mbështet nga kërkesa shumë e fortë e jashtme.

Ndërkohë, inflacioni i çmimeve të konsumit në Kinë u ngadalësua në 0,7% në tetor, për herë të parë pas dy muajsh rritjeje të njëpasnjëshme.

Treguesi ishte nën pritshmëritë e ekonomistëve, të cilët parashikonin një rritje 0,8%, si dhe më i ulët se niveli 0,9% i regjistruar në shtator.

Inflacioni bazë që përjashton çmimet e ushqimeve dhe energjisë, zbriti në 0,8%, nga 1% në muajin e mëparshëm.

Sipas Dong Lijuan, kryestatisticiene e sektorit urban pranë Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës, rritja e çmimeve të konsumit vijoi të mbështetej nga shtrenjtimi i benzinës, e cila dha kontributin më të madh në inflacion. Megjithatë, ky ndikim u kompensua nga një rënie më e fortë se pritshmëritë e çmimeve të ushqimeve.

Ekonomia kineze ka shfaqur së fundmi disa sinjale zgjerimi. Rritja ekonomike në tremujorin e tretë ishte më e lartë se parashikimet, ndërsa shitjet me pakicë në shtator tejkaluan ndjeshëm pritshmëritë.

Pas publikimit të të dhënave, indeksi CSI 300 i bursave të Kinës kontinentale u rrit me 0,56%.

Megjithatë, sipas Zhang të Pinpoint Asset Management, kërkesa e brendshme mbetet relativisht e dobët për shkak të problemeve në tregun e pasurive të paluajtshme, një nga arsyet kryesore pse inflacioni në Kinë nuk po përshpejtohet./Monitor

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.