Emri i Genti Berishës, 26-vjeçarit shqiptar që shkaktoi vdekjen e një efektivi të policisë bashkiake në Milano, është përfshirë tashmë edhe në një hetim të madh të antimafias italiane për pastrimin e parave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
Sipas gazetës italiane “Il Giorno”, Genti Berisha është një nga personat që dyshohet se merrte dhe menaxhonte fitimet e paligjshme të organizatave të përfshira në trafikun e kokainës. Hetimet kanë zbuluar një skemë ndërkombëtare të pastrimit të të paktën 14 milionë eurove, të përfituara nga trafikimi i 240 kilogramëve kokainë.
Paratë dyshohet se konvertoheshin në shufra ari, të cilat më pas transportoheshin nga Italia drejt Shqipërisë, duke përdorur si mbulesë kompani që merreshin me përpunimin dhe tregtimin e metaleve të çmuara.
Emri i 26-vjeçarit dhe i disa familjarëve të tij, përfshirë bashkëshorten Armela Luka, shfaqet në dokumentet e hetimit “Caveau 38”. Sipas hetuesve, familjarët e tij dyshohet se shërbenin si pika ku dorëzoheshin të ardhurat e paligjshme nga narkotrafiku.
Në dosje përmenden edhe biseda të zhvilluara përmes aplikacioneve të enkriptuara, ku diskutohej transportimi i qindra mijëra eurove drejt Gjermanisë dhe Spanjës.
Berisha u bë i njohur në qershor të këtij viti, kur nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar në Milano dhe nisi një arratisje me shpejtësi të lartë. Gjatë ndjekjes humbi jetën efektivi 39-vjeçar Francesco Imprezzabile, i cili u rrëzua me motor.
Fillimisht, shqiptari deklaroi se ishte larguar për shkak të disa gramëve hashash, por hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që arratisja të ketë pasur lidhje me aktivitetin e tij të dyshuar në trafikun e drogës.
Ai është dënuar me 8 vite burg në një tjetër hetim për drogën në Brescia, ndërsa për vdekjen e policit pritet të përballet me procesin gjyqësor. Sipas mediave italiane, seanca për kërkesën e marrëveshjes për pranimin e fajësisë është caktuar më 25 nëntor.

