Legjenda e Real Madridit “gradohet” në stol, Raúl González merr drejtimin e skuadrës spanjolle

9 Nëntor 2026
11:35
Alfred Lleshi
back button

Raúl González është trajneri i ri i Real Oviedos, pas shkarkimit zyrtar të Julián Caleros, të bërë publik këtë të hënë. Marrëveshja me ish-trajnerin e Real Madrid Castilla ishte arritur që të shtunën, pavarësisht fitores 2-1 të Oviedos në transfertën ndaj Cadizit.

Drejtori sportiv i klubit, David Fernández, ishte një nga mbështetësit kryesorë të emërimit të Raúl. Ai ka punuar për 4 vite në drejtimin e akademisë së Real Madridit dhe e njeh mirë punën e ish-legjendës madrilene në zhvillimin e talenteve të rinj. Nën drejtimin e tij, Castilla nxori futbollistë që më pas u transferuan në klube të tjera, mes tyre edhe Nico Paz, aktualisht pjesë e Comos.

Vendimi për shkarkimin e Caleros ishte marrë prej disa ditësh. Sipas raportimeve, marrëdhëniet mes trajnerit dhe disa lojtarëve të skuadrës nuk ishin në nivelin e duhur.

JA NJOFTIMI ZYRTAR I REAL OVIEDOS:
“Real Oviedo ka vendosur të ndërpresë kontratën e Julián Caleros si trajner i ekipit të parë. Tekniku, i cili kishte kontratë deri më 30 qershor 2027, nuk do të jetë më në drejtimin e skuadrës. Edhe pjesëtarët e tjerë të stafit teknik e përfundojnë bashkëpunimin me klubin.

Real Oviedo dëshiron të falënderojë Julián Caleron dhe stafin e tij për përkushtimin, profesionalizmin dhe punën gjatë periudhës së tyre në klub, duke u uruar suksese në të ardhmen profesionale”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit