Reforma në RTSH, Vasili: Keqmenaxhimi dhe mungesa e financimit, gangrenat e institucionit. 17 vite e njëjta tarifë
Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, ka ngritur shqetësimin për nivelin e financimit të transmetuesit publik, duke theksuar se tarifa që paguajnë qytetarët për RTSH-në nuk ka ndryshuar prej 17 vitesh dhe se, sipas të dhënave të EBU-së, Shqipëria renditet ndër vendet me financimin më të ulët të medias publike në Europë. Gjatë fjalës së mbajtur në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Vasili u shpreh mirënjohëse ndaj Kuvendit dhe qytetarëve që kontribuojnë për RTSH-në, por nënvizoi se niveli aktual i tarifës nuk i përgjigjet nevojave të institucionit.
“Tarifa është shumë e rëndësishme për ne. RTSH është shumë falënderuese ndaj Kuvendit dhe qytetarëve që kontribuojnë për RTSH-në. Por duhet të kemi parasysh që ka 17 vite e njëjta tarifë. Është financimi më i ulët në Europë, sipas EBU-së”, u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH.
Vasili theksoi se tarifa që paguhet sot për median publike, në raport me territorin, popullsinë dhe të ardhurat, është ndër më të ulëtat, duke e cilësuar këtë situatë si një nga problemet kryesore strukturore të RTSH-së.
“Tarifa që paguhet sot për median publike, në proporcion me territorin, popullsinë dhe të ardhurat, është më e ulëta ndonjëherë. Kjo është gangrena kryesore që kemi. Elefantët në dhomë janë keqmenaxhimi, joprioritizimi, etj. Por një nga arsyet kryesore përse media publike nuk arrin të jetë konkurruese është pikërisht kjo, sepse nuk ka financimin në nivelet e duhura”, shtoi Vasili
Drejtoresha e Përgjithshme pranoi gjithashtu se RTSH duhet të japë prova për menaxhimin e mirë të burimeve financiare që disponon, por nënvizoi se mungesa e financimit të mjaftueshëm mbetet një pengesë për zhvillimin e institucionit.
“Duhet të japë RTSH prova të mirëmenaxhimit të burimeve të saj, aq sa janë sot, patjetër. Por ky është fakt, që kemi një nga financimet më të ulëta. Është e pamundur të krijojmë programacion, studio, rinovim teknologjik nëse s’jemi të mirëfinancuar”, nënvizoi Vasili.
Sa i përket reformës në RTSH, Vasili bëri të ditur se një prej objektivave është pikërisht adresimi i problematikave të menaxhimit dhe strukturës së institucionit, përfshirë reduktimin e numrit të punonjësve në pozicionet ku ata nuk janë të nevojshëm.
“Reforma pikërisht për këtë ka nisur. Edhe për të reduktuar numrin e punonjësve aty ku s’janë të nevojshëm. Do të ketë studim të mirëfilltë, e parashikon task-forca këtë gjë. Kjo është një nga gangrenat e RTSH-së”, u shpreh Drejtoresha e Përgjitshme e RTSH.
Ajo paralajmëroi gjithashtu se reforma do të shoqërohet me kosto financiare dhe ndryshime në kuadrin ligjor e statutor të institucionit, ndërsa anëtarët e Kuvendit do të informohen për hapat që do të ndiqen.
“E gjithë kjo reformë do të ketë faturën e vet financiare. Do të ketë ndryshime ligjore, statutore. Ju do të jeni të njohur me hapat e reformës. Nga pikëpamja e menaxhimit do të thoja, mosfinancimi i mjaftueshëm, jo vetëm nga buxheti i shtetit, por edhe nga tarifa, është plaga kryesore nga e cila vuan RTSH sot”, theksoi Vasili.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




