
Aktori i njohur Bruce Willis po përballet me vështirësi të mëdha për shkak të demencës frontotemporale (FTD), një sëmundje që ka ndikuar ndjeshëm në jetën e tij të përditshme. Sipas një raportimi të Daily Mail, gjendja e tij ka shkaktuar shqetësim te familjarët dhe njerëzit e afërt, ndërsa disa nga miqtë e tij në industrinë e filmit nuk e vizitojnë më aq shpesh.
Willis u tërhoq nga aktrimi në vitin 2022, pasi u diagnostikua fillimisht me afazi. Një vit më vonë, familja bëri të ditur se ai vuante nga demenca frontotemporale, e cila ndikon në të folur, sjellje dhe personalitet.
Një burim pranë aktorit, cituar nga Daily Mail, pretendon se ai ndonjëherë shfaqet duke vëzhguar objektet me kureshtje, ndërsa nuk duket se e kupton plotësisht ndryshimin që ka sjellë sëmundja në jetën e tij.
Bashkëshortja e tij, Emma Heming, ka treguar se Bruce nuk është i vetëdijshëm për diagnozën dhe i konsideron ndryshimet në sjelljen e tij si normale. Ajo ka theksuar gjithashtu se aktori vazhdon të njohë njerëzit përreth dhe mbetet i pranishëm në marrëdhëniet me familjen.

Pavarësisht sfidave, familjarët vazhdojnë t’i qëndrojnë pranë. Edhe ish-bashkëshortja e tij, Demi Moore, ka ndarë momente familjare me aktorin, duke treguar përmes fotografive lidhjen e tij të veçantë me fëmijët dhe nipërit e mbesat.

