Momente paniku në Kaliforni, balona gjigante kryen ulje të detyruar pranë banesave
Një incident i pazakontë ka shkaktuar shqetësim te banorët e një lagjeje në Kaliforni të SHBA-së, pasi një balonë gjigante me ajër të nxehtë nisi të humbiste lartësinë dhe u detyrua të kryente një ulje emergjente në një hapësirë të hapur pas një banese.
VIDEO- Balona kryen ulje të detyruar, Klaiforni
Ngjarja ndodhi të shtunën, më 7 nëntor, në qytetin Menifee, në jug të Kalifornisë. Banorët u përballën papritur me pamjen e një balone të madhe blu, të zbukuruar me yje të artë dhe një gjysmëhënë, që po zbriste në një distancë shumë të afërt me banesat.
Momentin e uljes e filmoi me celular Mariam Dandan, një banore e zonës. Në një prononcim për televizionin ABC7, ajo tregoi se bashkëshorti i saj e kishte vënë re i pari balonën jashtë dritares.
Sipas saj, mjeti fluturues dukej se kishte probleme teknike, ndërsa në mbështjellësin e tij dalloheshin shenja të mundshme dëmtimi.
Gruaja tha se fillimisht gjithçka ngjante me një ulje të detyruar, ndërsa kur iu afruan balonës, vunë re se ajo mund të kishte një të çarë në strukturën e saj.
Pavarësisht frikës që shkaktoi te banorët, nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar. Sipas dëshmitares që filmoi ngjarjen, personat që ndodheshin në vendin e uljes dukeshin në gjendje të mirë shëndetësore.




