Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje agjencive ndërkombëtare dhe institucioneve të vendeve partnere që të nisin hetime më të thelluara për dosjen “Albanian Files”, të cilën e cilësoi si “monumentin më të zi të drogës në Evropë dhe në botë”.
Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka kryer personalisht përzgjedhjen e studiove dhe projekteve të ndërtimit në Tiranë, duke theksuar se vendimmarrja për to është përdorur për të favorizuar interesa të lidhura me kartelet e drogës dhe trafikantët.
Sipas Berishës, dosja përmban 523 projekte të realizuara nga 60 studio arkitekturore, me një vlerë investimesh që ai e llogariti nga 1.5 deri në 2 miliardë euro. Ai theksoi se përzgjedhja e studiove për secilin projekt është bërë nga vetë Rama, të cilin e cilësoi me termin “Padrino”.
Kreu i PD-së përmendi edhe një studio belge, e cila, sipas tij, përpara projektit të Sheshit Skënderbej kishte realizuar edhe vilën në Surrel të kryeministrit, pa faturë, por ishte shpërblyer më vonë.
Berisha e cilësoi këtë veprimtari si kriminale dhe mafioze, ndërsa kërkoi që agjencitë partnere ndërkombëtare të hetojnë çdo element të dosjes për të zbardhur lidhjet e mundshme mes politikës, ndërtimit dhe trafikut të drogës.
Ai dënoi gjithashtu shoqërimin e gazetarit holandez Vincent van Gerven Oei nga policia, duke e cilësuar atë si një gazetar që ka denoncuar ndër të parët çështjen “Albanian Files”.
“Është një shans i madh për të zbërthyer në çdo qelizë narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, narkoshtetin e Edi Ramës”, deklaroi Berisha, duke përsëritur thirrjen për hetime ndërkombëtare.a.b





