Arrestohet vëllai i Viktor Orbán në Hungari, dyshohet për trafikim të qenieve njerëzore
Autoritetet hungareze kanë ndaluar Áron Orbán, vëllain e ish-kryeministrit Viktor Orbán, nën dyshimin për përfshirje në trafikimin e qenieve njerëzore. Lajmi është bërë publik nga kryeministri aktual i Hungarisë, Péter Magyar, i cili iu referua raportimeve të mediave për operacionin e zhvilluar nga autoritetet.
Sipas Magyar, hetimet po kryhen nga Zyra Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit. Operacioni është zhvilluar në Budapest dhe në disa zona të qarkut të Pestit, ku përveç ndalimit të disa personave janë kryer edhe kontrolle në banesa.
Viktor Orbán reagon pas arrestimit të vëllait: Unë isha objektivi i vërtetë
Ndalimi i Áron Orbán ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të ish-kryeministrit hungarez, Viktor Orbán, i cili e ka cilësuar operacionin si një përpjekje për të goditur politikisht atë vetë.
Në një reagim në Facebook, Orbán pretendoi se vëllai i tij është përdorur si mjet për të arritur një objektiv tjetër, duke akuzuar qeverinë aktuale për shfrytëzimin e institucioneve shtetërore në funksion të përplasjeve politike.
Ai e përshkroi situatën si një formë hakmarrjeje politike dhe jo si një proces të mirëfilltë llogaridhënieje.
“Larja e hesapeve po përdoret si shpërqendrim. Ajo që po ndodh në Hungari nuk është llogaridhënie, por larje hesapesh. Kur diçka është e papërshtatshme për qeverinë, AVH ndërhyn. Qëllimi i kësaj loje të ndyrë është eliminimi i kundërshtarit politik dhe ndërtimi i një sistemi njëpartiak”, shkroi Orbán.
Më tej, ish-kryeministri kërkoi që qeveria të japë shpjegime përpara Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Parlamentit, veçanërisht lidhur me zbulimin e dosjeve të shërbimit sekret të periudhës komuniste.
Áron Orbán ishte përmendur edhe në një hetim për vizat Shengen
Emri i Áron Orbán ishte përfshirë më herët në një tjetër hetim, që kishte të bënte me dyshime për skema të lehtësimit të pajisjes me viza Shengen të shtetasve të huaj.
Kompania e lidhur me të dyshohej se kishte ndërmjetësuar regjistrimin e shtetasve vietnamezë në një kurs dyditor të ndihmës së shpejtë pranë Universitetit të Pécsit. Sipas dyshimeve të ngritura në atë hetim, kjo procedurë mund të ishte përdorur për të lehtësuar pajisjen e tyre me viza.
Ndërkohë, autoritetet hungareze pritet të publikojnë informacione të mëtejshme mbi operacionin, personat e ndaluar dhe dyshimet penale që lidhen me këtë çështje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




