Me 11 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit në mbledhjen e sotme ka miratuar katër projektligje që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e bashkëpunimit juridik me Suedinë dhe Belgjikën.
Para votimit të këtyre projektligjeve, anëtari i komisionit nga radhët e Aleancës, Besnik Tahiri kërkoi sqarime nga kryetari i komisionit, Vigan Qorrolli që të dije se për çfarë çështje saktësisht bëhet fjalë.
“A ka mundësi dikush me na sqaru se për çfarë çështje penale jemi duke fol”, ka pyetur ai.
Kryetari i komisionit nga radhët e LVV-së, Vigan Qorrolli tha se këto janë marrëveshje ndërkombëtare të cilat shteti ynë dhe Mbretëria e Suedisë i lidhin në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
“Këto janë mërrëveshje ndërkombëtare të cilat shteti ynë dhe Mbretëria e Suedisë i lidh në fushën e bashkëpunimit jurifik ndërkombëtar. E para çështjet penale që përfshijnë të gjitha raportet në fushën e së drejtës penale ndërmjet shteteve. E dyta është çështja e ekstradimit dhe e treta transferi i personave të dënuar. Është pako e përgjithshme e ligjeve që shteti me shtet në fushën e drejtësisë penale i lidh. Nëse një shtetas i Republikës së Kosovës në Suedi dhe e kundërta një shtetas i Suedisë në Kosovë gjykohet penalisht ose kërkohet që një shtetas i Kosovës kërkohet ta vuaj dënimin derisa aj po e kryen për një vepër në shtetin e Suedisë ai mund të transferohet në Republikën e Kosovës për ta vuajtur këtë dënim për parime të së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Qorrolli.
Kurse deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra kërkoi që ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla të raportojë në komision për këto marrëveshje, pasi që siç tha ajo kjo ka qenë praktikë e mëhershme dhe se këto të fundit nuk guxojnë të tejkalohen.
“Ne sapo i votuam një pjesë të marërveshjeve ndërkombvëtare që ratifikohen në Kuvendin e Kosovës. Praktikat e deritashme kryetar kanë qenë që ministrja vjen në komision dhe raporton për marrëveshjet. Nuk po flasim për marrëveshje të cilat nuk dojnë trajtim të detajshëm dhe unë mendoj që Kuvendi nuk guxon t’i tejkalojë këto praktika të mira sepse ministrja ka qenë në takime bilaterale me përfaqësues të shteteve dhe është mirë edhe për opinionin publik, por edhe për neve si deputet që ajo të vijë dhe edhe para votimit t’i informojë deputetët. Ne kemi nje rol mbikqyrës këtu dhe votat tona ishin për, por mendoj që këto praktika nuk guxojnë të tejkalohen dhe nuk guxojnë që votimet të ndodhin siç u votua sot”, ka thënë Dliu-Kodra.
Projektligjet që u mirtaun në këtë mbledhje janë Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Ekstradim, atë për Transferimin e Personave të Dënuar, si dhe marrëveshjen për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale.
Po ashtu, në mbledhje u miratua edhe Projektligji për Ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës./EO