Nvidia tha të dielën se bordi i saj po heton nëse CEO Jensen Huang kishte qenë shënjestër e një përpjekjeje të inteligjencës së huaj, pasi një raport mediatik pretendonte se ai kishte një marrëdhënie të ngushtë me një biznesmene kineze që i kaloi informacione Pekinit. Huang tha në një mesazh për punonjësit, se kishte qenë jobesnik ndaj gruas së tij dhe mori "përgjegjësi të plotë" për veprimet e tij, ndërsa Nvidia tha se CEO ishte i përkushtuar të vazhdonte të drejtonte kompaninë pa ndërprerje. Zhvillimet ka të ngjarë të ushtrojnë presion mbi aksionet e prodhuesit të çipave, të cilat tashmë kanë rënë ndjeshëm për shkak të shqetësimeve në lidhje me qëndrueshmërinë e bumit të inteligjencës artificiale, dhe gjithashtu mund të ngrenë pyetje në lidhje me të ardhmen e Huang në krye të kompanisë që ai bashkëthemeloi, thanë analistët. Neë York Times raportoi muajin e kaluar se Huang kishte një marrëdhënie me Alice Huang, një ish-ekzekutive e kompanisë Megaspeed me bazë në Singapor, të cilën autoritetet amerikane e hetuan dhe arritën në përfundimin se ishte një aset i inteligjencës kineze. Autoritetet amerikane kanë shqyrtuar Megaspeed, e cila blen çipa të inteligjencës artificiale nga Nvidia, mbi dyshimet se ka ndihmuar Pekinin të fitojë akses në çipat e avancuar të inteligjencës artificiale që janë të ndaluar të dërgohen në Kinë.