Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka kritikuar atë që e ka cilësuar si politizim të punës së Komisionit Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt.
Gjatë mbledhjes së komisionit, Kica-Xhelili ka thënë se diskutimet po politizohen dhe se kjo po rrezikon ta pengojë punën e komisionit në zbardhjen e përgjegjësive institucionale.
Ajo ka kundërshtuar mënyrën e përpilimit të listës së dëshmitarëve, duke thënë se në të janë përfshirë edhe persona që, sipas saj, nuk kanë lidhje me institucionet shtetërore.
Kica-Xhelili ka përmendur edhe propozimin e kryetarit të komisionit për përfshirjen e deputetit të LDK-së, Fadil Hadëgjonaj, në listën e dëshmitarëve.
“Po nuk mundemi me vazhdu me pranu ligjërimet te mospolitizimet, kur analizoj listën e dëshmitarëve, ju keni përfshi njerëz që lidhje nuk kanë me institucione shtetërore. Lidhje nuk kanë. Na nuk jemi prokurori e shtetit për me hetu edhe personat fizikë që kanë mujt me njoftë familjen e Arlindës. Dhe mu ka dok bajagi absurde që keni ardhë me një propozim të tillë, duke i përfshi personat të afërm me Aleancën në rastin konkret, se është punë e prokurorisë, nuk është punë e komisionit hetimor parlamentar”, ka theksuar ajo.
Ajo ka thënë se qëllimi i komisionit duhet të jetë zbardhja e dështimeve institucionale, nga Qendrat për Punë Sociale, Policia dhe Prokuroria, deri te ministritë përkatëse dhe Zyra e Kryeministrit.
Deputetja e LDK-së ka rikujtuar se kishte kërkuar edhe përfshirjen e Zyrës së Kryeministrit në listën e institucioneve që do të trajtohen nga komisioni, por ky propozim nuk ishte pranuar nga shumica.
Megjithatë, ajo ka theksuar se mospajtimet për përfshirjen e dëshmitarëve apo institucioneve nuk duhet ta bllokojnë punën e komisionit.
“A din? Tash, a po dojmë me kuptu çka ka ndodhë brenda institucioneve tona? A po dojmë me kuptu çka kanë bo policët e që s’ka ditë me rregullu Ministria e Punëve të Jashtme? Çka kanë bo sistemi i drejtësisë e që ska ditë me rregullu Ministria e Drejtësisë? Çka kanë bo QPS-ja, e që s’ka pasë nashta politika, ose ka pasë prej Ministrisë për Familje? A po dojmë me bo ping-pong teatrik këtu?”, ka deklaruar ajo.
Komisioni Hetimor ka vendosur që vazhdimi i mbledhjes së së hënës të mbahet me dyer të mbyllura për mediat, për shkak të çështjeve teknike që do të diskutohen. Kryesuesi Burim Ramadani ka garantuar se transparenca ndaj mediave do të ruhet.
Komisioni Hetimor pranon raportin për rastin e Arlinda Zekajt, Rrahmani thotë se erdhi me vonesë